Kërkesat dhe ankesat
Si konsumator ekzistues apo i ardhshëm i KESCO-s, ju mund të keni kërkesa apo ankesa të ndryshme dhe ne bëjmë më të mirën që të ju ofrojmë zgjidhjet më të duhura për të gjitha kërkesat dhe ankesat që keni.
Nëse keni në mendje të bëni ndonjë kërkesë apo ankesë në KESCO, së pari ju lusim që të shikoni nëse e njejta gjendet në listën më poshtë. Nëse doni të parashtroni një kërkesë apo ankesë të re e cila nuk gjendet në listën e mëposhtme, atëherë ju mund ta bëni këtë përmes Zyrës për Kujdes ndaj Konsumatorëve në distriktin tuaj përkatës, Qendrës së Thirrjeve, aplikacionit e-KESCO si dhe rrjeteve sociale.
Kur konsumatorët parashtrojnë një ankesë/kërkesë në Zyrat e Kujdesit ndaj Konsumatorëve ata duhet të kenë me vete një dokument personal identifikimi.
Konsumatorëve do t’ju kërkohet të plotësojnë Formularin për Kërkesë/Ankesë, që duhet të përmbajë të gjitha të dhënat personale në lidhje me konsumatorin ose përfaqësuesin e autorizuar. Gjithashtu, konsumatori duhet të ketë shënuar llojin e ankesës ose kërkesës dhe të ketë të specifikuar arsyen e plotësimit të saj.
Me regjistrimin e ankesës/kërkesës së konsumatorit, te njëjtit do t’i gjenerohet një numër unik identifikues i tiketës, që do t’i dorëzohet konsumatorit si dëshmi për paraqitjen e ankesës/kërkesës dhe që do t’i mundësojë atij të përcjellë procesin e zgjidhjes së ankesës/kërkesë që ka paraqitur.
Kërkesa të konsumatorëve
Nëse keni ndërruar vendbanim apo keni mbyllur përkohësisht biznesin tuaj, dhe si rezultat keni pasivizuar llogarinë tuaj në KESCO, të njëjtën mund ta ri-aktivizoni. Për të ri-aktivizuar llogarinë tuaj në KESCO ju duhet të bëni kërkesë në sportelet e Shërbimit për Konsumatorë në qytetin tuaj/distriktin tuaj.
Kërkesa juaj për aktivizim të llogarisë duhet të kalojë nëpër këto hapa:
a. Merrni me vete një dokument identifikues, si dhe autorizimin noterial nëse aplikoni për dikë tjetër.
b. Plotësoni formën e kërkesës dhe dorëzoni atë në sportelet e KESCO;
c. Në raste kur ka ndërrim të emrit nga emri i mëparshëm, aplikohen kushtet e njëjta sikurse te kërkesat për ndërrim të emrit.
Aktivitetet në terren që ndërlidhen me aktivizimin e llogarisë, kryhen nga ana e KEDS, ndërsa implemetimi i të dhënave në databazë dhe njoftimi i konsumatorit bëhet nga ana e KESCO-s.
Nëse për çfarëdo arsye, ju si konsumator ekzistues në KESCO parashtroni kërkesë për ndërrimin e emrit të llogarisë, atëherë ju duhet të ndiqni hapat e mëposhtëm:
- Për ta ndërruar emrin në llogarinë tuaj, ju duhet të parashtroni kërkesë në Zyrat e Përkujdesit për Konsumatorë në vendbanimin tuaj.
- Formularin e parashtrimit të kërkesës ju mund ta shkarkoni nga ueb-faqja e KESCO-s, si dhe të njëjtin mund ta merrni në sportelet e KESCO-s.
- Së bashku me formën e plotësuar të kërkesës duhet dorëzuar edhe dokumentet relevante, varësisht nga arsyeja e bërjes së kërkesës.
- Për të ndryshuar emrin e llogarisë, fillimisht borxhi në atë llogari duhet të jetë zero.
- Në të gjitha rastet e ndërrimit të emrit, pronarët e rinj janë të obliguar të nënshkruajnë Kontratë për Furnizim me Energji Elektrike. Këtu mund të gjeni linkun e Kontratës për Furnizim me Energji Elektrike e aprovuar nga ZRRE, për konsumatorë shtëpiak (Kontrata për amvisëri) dhe komercial (Kontratë për konsumatorët komercial).
Më poshtë kemi listuar llojet më të shpeshta të kërkesave për të ndërruar emrin e llogarisë, si dhe dokumentacionin e kërkuar në këto raste specifike:
Kërkesë për ndërrimin e emrit në rast të shitblerjes apo qiramarrjes së objektit.
1. Forma e plotësuar e kërkesës.
2. Kontrata e noterizuar e shitblerjes apo qiramarrjes.
3. Nëse aplikimi bëhet nga personi i autorizuar, kërkohet të prezantohet autorizimi i noterizuar.
4. Informata mbi biznesin (jo më e vjetër se 6 muaj) në raste të kompanive.
5. Pas verifikimit dhe kompletimit të dokumentacionit, për të proceduar me ndërrimin e emrit kërkohet të plotësohet deklarata e pranimit të përgjegjësive për pikën matëse dhe kontrata e furnizimit.
Kërkesë për ndërrimin e emrit në rastin kur vdes personi, i cili është kontraktues me KESCO
1. Forma e plotësuar e kërkesës.
2. Certifikata e vdekjes e personit, emri i të cilit është në kontratë me KESCO.
3. Certifikata familjare.
4. Në rastet e ndërrimit të emrit nga një person i vjetër te një person tjetër, jashtë marrëdhënieve familjare, kërkohen dëshmitë relevante mbi pronësinë ku gjendet pika matëse në fjalë.
5. Pas verifikimit dhe kompletimit të dokumentacionit, për të proceduar me ndërrimin e emrit kërkohet të plotësohet deklarata e pranimit të përgjegjësive për pikën matëse dhe kontrata e furnizimit.
Kërkesë për ndërrim të emrit ndërmjet anëtarëve të familjes
1. Forma e plotësuar e kërkesës.
2. Certifikata familjare.
3. Deklaratë ndërmjet dy anëtarëve të familjes (pronarit aktual dhe pronarit të ri potencial), të cilët duhet të jenë fizikisht prezentë apo të sillen deklaratat e noterizuara të tyre.
4. Pas verifikimit dhe kompletimit të dokumentacionit, për të proceduar me ndërrimin e emrit kërkohet të plotësohet deklarata e pranimit të përgjegjësive për pikën matëse dhe kontrata e furnizimit.
Kërkesë për ndërrimin e emrit nga një subjekt qeveritar/komunal:
1. Kërkesa zyrtare nga subjekti qeveritar/komunal.
2. Autorizimi i noterizuar për përfaqësuesin e organit përkatës.
3. Pas verifikimit dhe kompletimit të dokumentacionit, për të proceduar me ndërrimin e emrit kërkohet të plotësohet deklarata e pranimit të përgjegjësive për pikën matëse dhe kontrata e furnizimit.
Nëse për çfarëdo arsye konsumatorët kanë kaluar afatin e dhënë të pagesës së energjisë elektrike (afati është i paraqitur në faturën tuaj), atëherë, ata do të trajtohen konform Rregullave për Shkyçje dhe Rikyçje në Sektorin e Energjisë. Për t’u rikyçur në rrjetin elektrik, konsumatorët fillimisht duhet të përmbushin të gjitha detyrimet financiare si dhe parashtrojnë kërkesë për rikyçje në KESCO.
Kërkesa për rikyçje bëhet në sportelet tona në distriktin tuaj përkatës (shko tek harta), përmes Qendrës së Thirrjes, në numrin pa pagesë: 0800 791 00, përmes postës elektronike info@kesco-energy.com apo përmes aplikacionit eKesco.
Konsumatorët të cilët parashtrojnë kërkesë për rikyçje në sportelet tona, duhet të plotësojnë këto dokumente:
a. Formën e aplikimit (Shkarko formularin),
b. Sjellin dëshminë mbi përmbushjen e detyrimeve financiare.
Lexo më shumë këtu: Kërkesa për rikyçje.
Të gjithë konsumatorët mund të parashtrojnë kërkesë për kontrollimin e pikës matëse/njehsorit. Për të realizuar këtë kërkesë, konsumatori duhet të dorëzojë formën e aplikimit në sportelet e Shërbimit për Konsumatorë, si:
-
Forma e kërkesës (ku duhet të përshkruhen arsyet mbi kërkesën për kontrollimin e njehsorit).
-
Dokumente tjera relevante sipas nevojës.
Aktivitetet që ndërlidhen me inspektimin e njehsorit kryhen nga ana e KEDS, ndërsa implementimi i të dhënave në sistem dhe njoftimi i konsumatorit, nga ana e KESCO-s.
Konsumatorët mund të parashtrojnë kërkesë për kontrollimin e pikës matëse/njehsorit edhe online, përmes aplikacionit eKesco. Kjo bëhet duke zgjedhur opsionin kërkesa dhe ankesa në menynë kryesore të këtij aplikacioni.
Njehsori është pajisja kryesore për matje të konsumit tuaj të energjisë elektrike.
Në raste të dyshimit mbi saktësinë e matjes së njehsorit tuaj, ju mund të parashtroni kërkesën për testim apo ndërrim të njehsorit në sportelet e KESCO. Për të realizuar këtë kërkesë, konsumatori duhet të plotësojë formën dhe ta dorëzojë atë në sportelet tona së bashku me dokumentet tjera relevante.
Aktivitetet që ndërlidhen me testimin apo ndërrimin e njehsorit kryhen nga ana e KEDS, ndërsa implementimi i të dhënave në sistem dhe njoftimi i konsumatorit, bëhet nga ana e KESCO-s.
Konsumatorët mund të parashtrojnë kërkesë për testim/ndërrim njehsori edhe online, përmes aplikacionit eKesco. Kjo bëhet duke zgjedhur opsionin kërkesa dhe ankesa në menynë kryesore të këtij aplikacioni.
Për dislokim apo zhvendosje të shtyllës elektrike konsumatori mund të drejtohet me kërkesë/ankesë në zyret e Kujdesit për Konsumatorë. KESCO ka për obligim të delegoj kërkesën e konsumatorit tek OSSH (KEDS) per shqyrtim dhe konform përgjegjës se KEDS të njoftojë konsumatorin lidhur me kërkesën/ankesën e tij.
- Kur konsumatorët parashtrojnë një ankesë/kërkesë në Zyrat e Kujdesit ndaj Konsumatorëve ata duhet të kenë me vete një dokument personal identifikimi.
- Konsumatorëve do t’ju kërkohet të plotësojnë Formularin për Kërkesë/Ankesë, i cili duhet të përmbajë të gjitha të dhënat personale në lidhje me konsumatorin ose përfaqësuesin e autorizuar.
- Konsumatori duhet të ketë shënuar qartë llojin e ankesës ose kërkesës dhe të ketë të specifikuar arsyen e plotësimit të saj.
Me regjistrimin e ankesës/kërkesës së konsumatorit, te njëjtit do t’i gjenerohet një numër unik identifikues i tiketës, e cila do t’i dorëzohet konsumatorit si dëshmi për paraqitjen e ankesës/kërkesës dhe e cila do t’i mundësojë konsumatorëve të përcjellin ankesat/kërkesat e tyre. Pasi të shqyrtohet kërkesa, konsumatori do të njoftohet lidhur me vendimin e marrë.
Kërkesa për dislokim të aseteve kur bëhet nga ana e konsumatorit mbulohet me mjete vetanake.
Secili nga konsumatorët ekzistues mund të bëjë kërkesë për rritje të fuqisë maksimale të angazhuar nga ajo të cilën e ka të lejuar. Kërkesat e tilla duhet të bëhen në sportelet e KESCO-s, duke ia bashkangjitur projektin e rishikuar elektrik të objektit, për të cilin kërkohet rritja e fuqisë maksimale të angazhuar. Rastet e tilla do t’i nënshtrohen procesit të pëlqimeve elektro-energjetike, sikurse për konsumatorët komercial me fuqi mbi 15 kW.
Çdo konsumator i cili dëshiron të mbyllë/deaktivizojë llogarinë dhe të ndalojë faturimin për llogarinë respektive, duhet të ndjekë hapat si më poshtë:
- Plotësohet forma e kërkesës dhe dorëzohet në sportelet tona.
- Fletëpagesa që dëshmon pagesën e borxhit në tërësi.
- Dokumente tjera relevante sipas nevojës.
Disa rregulla të rëndësishme për kërkesat për mbyllje të llogarisë, janë:
- Gjatë shkyçjes dhe tërheqjes së njehsorit nga vendi i ngjarjes, konsumatori duhet të jetë prezent.
- Në rast se ka kW/h të akumulara dhe të pafaturuara apo ndonjë gjetje gjatë testimit dhe shqyrtimit të njehsorit në laborator të kalibrimit, i njëjti është përgjegjës për përmbushjen e të gjitha detyrimeve financiare dhe ligjore rreth pikës matëse/ njehsorit në fjalë.
- Pas përfundimit të procedurave të cekura më lart, në rast se njehsori gjatë testimit rezulton në rregull, do të mbyllet llogaria sipas kërkesës, në të kundërtën, do të veprohet sipas procedurave dhe rregullave konform dispozitave ligjore.
Aktivitetet në terren që ndërlidhen me mbylljen e llogarisë, kryhen nga ana e KEDS, ndërsa implementimi i të dhënave në sistem dhe njoftimi i konsumatorit, bëhet nga ana e KESCO-s.
Konsumatorët mund të parashtrojnë kërkesë për mbyllje të llogarisë edhe online, përmes aplikacionit eKesco. Kjo bëhet duke zgjedhur opsionin kërkesa dhe ankesa në menynë kryesore të këtij aplikacioni.
Kërkesa për ripllobim mund të paraqitet në sportelet e Kujdesit për Konsumatorë në distriktin relevant, duke plotësuar dhe dorëzuar formën e kërkesës si më poshtë:
- Forma e kërkesës.
- Dokumente tjera relevante sipas nevojës.
Aktivitetet në terren që ndërlidhen me ripllombim kryhen nga ana e KEDS, ndërsa implementimi i të dhënave në sistem dhe njoftimi i konsumatorit, bëhet nga ana e KESCO.
Konsumatorët mund të parashtrojnë kërkesë për ripllombim edhe onile përmes aplikacionit eKesco. Kjo bëhet duke zgjedhur opsionin kërkesa dhe ankesa në menynë kryesore të këtij aplikacioni.