KONSUMATORI - MBRETI
Nga titulli, dikush mund të mbetet i befasuar, por është e vërtetë. Kjo tregon rëndësinë e konsumatorit për ne, e jo vetëm për ne si kompani, por për çdo aktivitet biznesi që prodhon ndonjë produkt apo shërbim. Sjellja jonë në raport me konsumatorin “Mbretin”, nënkupton shumë veprime, me të cilat ai do të ndahet i kënaqur, si pasojë e kësaj ai do të konsumojë produktin apo shërbimin që ne i ofrojmë.
Trajtimi i konsumatorit, nga ana e jonë duhet të jetë sa më afër trajtimit të “Mbretit”, nëse dëshirojmë sukses. Bazuar në histori dhe në atë që kemi njohuri, Mbreti është sovrani i një shteti, vullneti i tij shndërrohet në ligj, pastaj ky ligj duhet zbatuar nga institucionet shtetërore dhe nga populli i atij vendi. Mosrespektimi i këtij ligji sjellë pasoja serioze për të gjithë.
Në monarki Mbreti është një individ që udhëheqë shtetin dhe plotësimi i kërkesave dhe dëshirave të tij është i rëndësishëm, që populli të jetojë pa frikë se Mbreti mundë të jetë i ashpër. Me konsumator, nënkuptojmë një individ apo grupe njerëzish të cilët kanë interes dhe e konsumojnë produktin apo shërbimin që ne si biznese i ofrojmë. Për ne si kompani, konsumatori është “Mbreti”.
Nëse konsumatori është i kënaqur me atë që ne i ofrojmë dhe se si e ofrojmë, atëherë ne do të jemi të qetë dhe të sigurt për ardhmërinë e kompanisë tonë, sepse “Mbreti” jonë është i kënaqur dhe do të jetë në vazhdimësi kontribues në biznesin tonë. Definicionet bazë të Marketingut e thonë këtë, si për shembull:
• Parim i marketingut është ”Kënaqja sa më e plotë e nevojave të konsumatorëve”;
• Koncepti i marketingut: “Përmban qëndrimin e ndërmarrjes në përcaktimin e programit të prodhimit e të shërbimeve, në mënyrë që sa më mirë, në kohë dhe hapësirë, me çmime të pranueshme t’i përmbushë nevojat e konsumatorëve dhe njëkohësisht të realizojë fitim për vete”;
•Realizimi i objektivave nënkupton: “Besimi se objektivat e firmës mund të arrihen nëpërmjet përmbushjes së kërkesave të konsumatorëve”.
Pse ekzistojmë si kompani? Duhet ta kemi te qartë se së pari ekzistojmë për konsumatorin, e pastaj si rezultat i kësaj arrijmë të realizojmë të ardhura. Kjo e tregon edhe rëndësinë që ka ai për neve.
Trajtimi ynë ndaj konsumatorit është thelbësor për suksesin apo mossuksesin e kompanisë dhe të biznesit që e zhvillojmë. Ne, si kompani për furnizim me energji elektrike, kemi përgjegjësi të plotë se si e trajtojmë konsumatorin tonë.
Si fillim, duhet të sigurojmë furnizim të rregullt dhe kualitativ të energjisë, faturim të rregullt dhe të saktë, komunikim të përhershëm me konsumatorin përmes telefonit, e-mail adresës, përmes aplikacioneve të ndryshme, si dhe përmes komunikimit direkt.
I gjithë ky komunikim duhet të realizohet në formën e respektit maksimal ndaj konsumatorit, duke pasur kujdes gjuhën, tonin, tolerancën, qartësinë në sqarime, si dhe rezultatin e duhur në fund të komunikimit. Kjo mënyrë e komunikimit do të na shërbejë që të sigurojmë dhe ofrojmë informacione në raport me konsumatorin.
Duhet ta informojmë rregullisht dhe me saktësi lidhur me furnizimin me energji, për mundësitë që ofrojmë lidhur me shfrytëzimin e energjisë në periudha kohore kur është më e lirë, për mundësinë e parashtrimit të kërkesave dhe ankesave për problematika me të cilat ballafaqohen.
Po ashtu, duhet të marrim informacione të përhershme lidhur me kënaqësitë dhe pakënaqësitë që i ka konsumatori, dhe në bazë të saj të bëhen korrigjimet apo avancimet ndaj këtij raporti që kemi me të. Efektiviteti dhe shpejtësia e evitimit të problemeve (prishjeve) apo ndërprerjeve të energjisë në rrjetin shpërndarës, duhet të jetë e nivelit me të lartë të mundshëm, që konsumatori, “Mbreti” mos ta ndjejë mungesën e energjisë elektrike.
Çdo falënderim apo përgëzim që do të marrim nga konsumatori i kënaqur me ne, do të jetë shtyllë e fortë e afarizmit pozitiv të kompanisë. Si rezultat i komunikimit të më sipërm, duhet të ofrojmë edhe përgjigje të sakta dhe në kohë për te gjitha kërkesat dhe ankesat. Të gjitha këto janë obligime ligjore, por edhe etike, ndërsa kulmi i tij është se zbatimi i tyre do të na sigurojë se konsumatori ynë do të jetë i kënaqur me atë që i ofrojmë dhe kjo do të reflektohet edhe në suksesin në të tashmen dhe të ardhmen e kompanisë.
Afarizmi pozitiv dhe çdo herë më i mirë i kompanisë, për ne si pjesë e saj, do të na ofrojë siguri në punë dhe të ardhura të dinjitetshme për të gëzuar një jetë më të mirë dhe të lumtur. Ose thënë ndryshe, suksesi dhe mossuksesi i jonë si biznes, varet se sa do të arrijmë që “Konsumatori - Mbreti” ynë të jetë i kënaqur me atë çka ne i ofrojmë. Uroj që të arrijmë kënaqësinë përherë e më të madhe të konsumatorit.