shq eng srb

Pyetjet më të shpeshta

Keni ndonjë pyetje për shërbimet e KESCO-s? Shih nëse përgjigjia gjendet në listën më poshtë!

Si të regjistrohem në aplikacionin mobil eKesco?

Aplikacioni mobil eKesco mund të shkarkohet në:

Në Android (PlayStore), iPhone(AppStore), duke kërkuar eKesco.

Pas shkarkimit, regjistrohuni duke plotësuar të dhënat tuaja: emrin dhe mbiemrin, numrin personal, shifrën e konsumatorit, varësisht nga distrikti që ju vini (shifra gjendet në anën e epërme të faturës), e-mailin tuaj dhe numrin e telefonit.

Nuk e pranoj kodin në telefon. Si të kyçem në aplikacion?

Kur në data bazën tonë figuron që ne ua kemi dërguar kodin dhe ju ende nuk merrni ndonjë mesazh me kod nga operatori telefonik, ju lutem provoni ta riktheni fjalëkalimin duke provuar opsionin e dytë përmes e-mail adresës.   

Për më shumë shih videon: https://youtu.be/Wh8osVoPU3Q

Nëse ende keni probleme në regjistrim, na shkruani në info@kesco-energy.com , duke sqaruar saktë çështjen për të cilën nuk mund të kyçeni përmes dërgimit të dëshmive konkrete.

Si të bëj pagesa online përmes eKesco-s?

Pagesat e energjisë elektrike mund t’i kryejmë sigurt dhe shpejt përmes platformës online eKesco. Këtë mund ta bëjmë duke zgjedhur opsionin “Pagesë online”, pasi që të jeni kyçur me të dhënat tuaja në aplikacion.

Vini re se logoja e bankës që shfaqet në aplikacion tregon vetëm informatën e bankës ndërmjetësuese, por ju mund ta bëni pagesën nga cilado bankë pa paguar provizion bankar për transaksionin tuaj.

Për më shumë shih videon: https://youtu.be/dPlNDvbFJp0

Si ta rikthej/ndryshoj fjalëkalimin në eKesco përmes e-mail adresës?

Nëse keni harruar fjalëkalimin në eKesco, atë mund ta ktheni në dy forma: përmes numrit të telefonit me të cilin jeni regjistruar fillimisht, si dhe përmes e-mail adresës me të cilën jeni regjistruar fillimisht.

Fjalëkalimin përmes e-mailit mund ta riktheni/ndryshoni duke ndjekur videon në vijim: https://youtu.be/I8uBOKnOdDY

Nëse ende keni probleme në regjistrim, na shkruani në info@kesco-energy.com , duke sqaruar saktë çështjen për të cilën nuk mund të kyçeni përmes dërgimit të dëshmive konkrete. 

 

 

Pse nuk mund të regjistrohem në aplikacionin eKesco?

Nëse të gjitha të dhënat tuaja janë të sakta, si e-mail adresa aktive dhe fjalëkalimi i llogarisë suaj në eKesco dhe ju prapë nuk mund të kyçeni në aplikacion, atëherë, ju lutem, sigurohuni që letërnjoftimi juaj nuk ka skaduar, ngase regjistrimi në aplikacion nuk mund të procedohet tutje nëse ka ndodhur kjo e dyta.

Po ashtu, ju lutem sigurohuni që informatat tuaja bazë, si numri personal, numri i telefonit etj. nuk janë përdorur për regjistrim të mëparshëm në aplikacion, ngase nëse ndonjëra e dhënë është përdorur, sistemi ynë i njeh këto informata si të një përdoruesi tjetër dhe, rrjedhimisht, regjistrimi nuk do t’ju funksionojë.

Për më shumë shih videon: https://youtu.be/xQ2y_JovliY

 

 

Pse duhet t’i përditësoj të dhënat në eKesco?

Përditësimi i të dhënave është i rëndësisë funksionale për aplikacionin tonë. Të dhënat bazike, të cilat duhet përditësuar nëse ndryshohen, janë: numri i telefonit dhe e-mail adresa. Të dhënat mund t’i përditësoni duke e konsultuar udhëzuesin/manualin e aplikacionit. Por, në rastet kur nuk arrini t’i përditësoni ato, na shkruani në e-mailin tonë zyrtar, duke na dërguar njërën nga të dhënat bazike: e-mailin me të cilin jeni regjistruar, shifrën e konsumatorit ose numrin personal dhe ne do t’ju ndihmojmë t’i përditësoni ato.

Ju lutem, keni parasysh se përditësimi i të dhënave në e-Kesco është i ndërlidhur me aplikacionin dhe nuk i ndryshon të dhënat në sistem. Për këtë të fundit duhet të paraqiteni në sportelin më të afërt të shërbimit me konsumatorë në distriktin tuaj.

Pse nuk mund të kyçem në aplikacionin eKesco ?

Në rastet kur ju veçse keni llogari të krijuar në eKesco, por keni harruar fjalëkalimin, keni shënuar gabim numrin e telefonit ose për arsye të tjera ju nuk mund të kyçeni në aplikacion, ju lutem dërgoni e-mail në: info@kesco-energy.com, duke sqaruar saktë çështjen për të cilën nuk mund të kyçeni përmes dërgimit të dëshmive konkrete.

Ne do të bëjmë më të mirën që të zgjidhim çështjen tuaj sa më parë që të jetë e mundur. Po ashtu, agjentët tanë nga Qendra e Thirrjeve (0800-791-00), mund t’ju ndihmojnë në rast se hasni në probleme të tilla.

Pse shuma e faturës së fundit figuron ende në eKesco edhe pse e kam paguar?

Mundësia që mos të figurojë vlera e pagesës së fundit të realizuar nga ju mund të paraqitet nëse nuk ka ndodhur përditësimi i sistemit të pagesave. Kjo kërkon një kohë të shkurtër për të figuruar ndryshimi i fundit. Nëse pagesa e realizuar nuk shfaqet më shumë se 24 orë gjatë ditëve të punës, atëherë na shkruani në info@kesco-energy.com, duke ofruar dëshmi konkrete të pagesës.

Po ashtu, nëse e keni bërë pagesën jashtë aplikacionit eKesco në shifër të faturës tjetër (shifër gabim), atëherë duhet të verifikoni shifrën që e keni shënuar në fletëpagesë. Nëse ka ndodhur pagesa në shifër të gabuar, ju lutem drejtohuni te banka juaj përkatëse për të ndryshuar adresën e pagesës dhe/ose kthimin e mjeteve në llogarinë tuaj bankare.

Pse nuk mundem ta printoj faturën nga eKesco me të dhëna komplet të adresës?

Aplikacioni e-Kesco i shfaq të dhënat me **, në rastet kur emri i konsumatorit në aplikacion nuk përputhet me pronarin e njehsorit në sistemin tonë dhe/ose keni bërë regjistrimin e gabuar të shifrës. Kjo ndodh me qëllim që të jemi në përputhshmëri me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave.

Ju lutem sigurohuni që të dhënat tuaja janë të përditësuara dhe ju jeni shfrytëzuesi aktual dhe legjitim i shifrës suaj.  Përditësojini të dhënat tuaja më të fundit duke u paraqitur në sportelet e KESCO-s në distriktin tuaj.

A mund të kryej pagesën e energjisë elektrike nga të gjitha bankat?

Kompania jonë gjatë zhvillimit të aplikacionit eKesco është dashur që për shkak të specifikave të programit, të përcaktohet për një bankë përmes së cilës do të realizohen transaksionet financiare.

Banka e përzgjedhur është vetëm ndërmjetësues i realizimit të pagesës suaj, por ju mund ta bëni pagesën nga cilado bankë pa paguar provizion bankar për transaksionin tuaj.

Sa njehsorë mund t’i menaxhoj përmes llogarisë sime në eKesco?

Konsumatorët që posedojnë një ose më shumë objekte banimi, sidomos objekte afariste, në një llogari mund të regjistrojnë deri në 10 njehsorë. Përmes eKesco mund të bëhen pagesa të energjisë elektrike për të gjithë njehsorët e regjistruar.

Informatat më të hollësishme mbi regjistrimin e njehsorëve mund t’i gjeni në rrjetet tona sociale ose në udhëzuesin tonë për përdorim të eKesco-s.

 

Pse aplikacioni ekesco më shfaq vetëm gjendjen e faturës një herë në muaj dhe jo gjendjen momentale?

Sa i përket gjendjes së tanishme, shfaqja e kësaj është e mundur vetëm te njehsorët që lexohen nga distanca. Kur njehsori juaj është model me lexim me SOND aparat,  mund të gjenerohet fatura vetëm në momentin kur lexohet njehsori nga ekipet e leximit në terren.

Arsye tjetër mund të jetë ndonjë problem teknik momental i komunikimit të njehsorëve nga distanca me bazën e aplikacionit. Për këto raste, ju lutem na njoftoni përmes e-mailit tonë zyrtar në info@kesco-energy.com

Gjatë regjistrimit në eKesco më paraqitet “Problem në regjistrim. Ju lutem provoni përsëri”. Çfarë të bëj?

Për këtë problem së pari duhet ta konsultoni manualin e aplikacionit, ta verifikoni se a i jeni përmbajtur hapave të tij. Nëse po, atëherë kujdesuni që të dhënat të regjistruara nga ju të jenë të sakta, numri i telefonit të jetë nga operatorët kosovarë, si dhe të keni të regjistruar numrin personal të letërnjoftimit, të lëshuar në Kosovë dhe ai të jetë me afat valid.

Si të bëj kërkesë për ri-kyçje, pas shkëputjes për shkak të borxhit të grumbulluar?

Klienti duhet të bëjë kërkesë për ri-kyçje në Departamentin për Konsumatorë të KESCO-s.


Bazuar në Rregulloren e ZRRE-së nr. 09/2017 për shkyçje dhe ri-kyçjen e konsumatorëve në sektorin e energjisë, në kapitullin VI dhe nenin 23, afatet dhe kushtet për ri-kyçje deklarohen të jenë:

  • Ndërmarrja e energjisë do të ri-kyç objektin e shkëputur të klientit jo më vonë se 24 orë pasi të jenë plotësuar kushtet e ri-kyçjes.
  • Nëse, për ndonjë arsye teknike, klienti nuk mund të ri-kyçet brenda afatit të përshkruar më sipër, konsumatori mund të paraqesë kërkesën përmes Qendrës së Thirrjes ose Zyrës së Kujdesit për Konsumatorë.

Lexoni artikullin kërkesa për rikyçje në KESCO për më shumë.

Kam paguar gabim faturën e energjisë elektrike, si t’ia bëj ( gabim në shifër, gabim në përshkrim, etj)?

Në rast të gabimeve gjatë pagesës së faturave të energjisë elektrike, ju sugjerojmë të vizitoni sportelet e Kujdesit për Konsumatorë në KESCO në distriktin tuaj përkatës, për të parashtruar kërkesë për përmirësimin e gabimit lidhur me pagesën.

Në rast të pagesës përmes institucioneve financiare jo-bankare, ju lutem të drejtoheni në institucionin përkatës ku është realizuar pagesa.

Nëse pagesa është realizuar gabimisht përmes aplikacionit mobil “eKesco”, ju sugjerojmë të na shkruani në e-mailin: info@kesco-energy.com ose parashtroni ankesë në sportelet e Kujdesit për Konsumatorë në KESCO.

Pse duhet ta paguajmë tarifën fikse edhe kur nuk e përdorim energjinë elektrike?

Fatura juaj e energjisë elektrike nuk do të jetë zero, edhe nëse përdorimi i energjisë elektrike është zero. Ekziston një pagesë mujore e quajtur tarifa fikse, për faktin se ju jeni ende të lidhur me energji elektrike.

Kjo tarifë fikse caktohet nga Zyra e Rregullatorit për Energji për të mbuluar shpenzimet administrative dhe shërbimet, si: Leximin, faturimin, shpërndarjen e faturës, mirëmbajtjen e llogarisë së konsumatorit, etj.

Për të mos pranuar faturë mujore me tarifë fikse, konsumatori duhet të bëj kërkesë për pasivizim të llogarisë në KESCO.

Si të parashtroj një kërkesë/ankesë në KESCO?

Të gjithë konsumatorët ekzistues të cilët kanë nevojë për shërbime të ndryshme të energjisë elektrike nga KESCO sh.a., mund të paraqiten në sportelet e Kujdesit për Konsumatorë, duke specifikuar kërkesën apo ankesën e tyre, si më poshtë:


Hapi  1-    Paraqituni në sportelet e Shërbimit për Konsumatorë ose shkarkoni formularin.
Hapi  2-     Plotësoni të dhënat mbi konsumatorin në formën e lartcekur.
Hapi  3-    Vendosni shenjën (kliko në katrorin e hijezuar) për të specifikuar llojin e ankesës apo kërkesës siç përshkruhet në formë.
Hapi  4-    Shënoni ndonjë të dhënë që mund t’ju ndihmojë në shqyrtimin më të drejtë të kërkesës tuaj.
Hapi  5-    Nënshkruani formën dhe vendosni datën.
Hapi  6-    Dorëzoni formën në sportelin më të afërt të KESCO-s. Gjatë dorëzimit, zyrtari në sportel do t’ju japë një numër reference, me të cilin dëshmohet se keni bërë kërkesë/ankesë.

Konsumatorët mund të parashtrojnë kërkesa apo ankesa lidhur me shërbimet e energjisë elektrike edhe përmes postës elektronike: info@kesco-energy.com, Qendrës së Thirrjes, aplikacionit eKesco apo faqes zyrtare në Facebook. 
 

A mund ta paguaj faturën e energjisë elektrike me anë të shërbimeve e-banking në bankën me të cilën operoj, edhe nëse kontrata me KESCO-n nuk është në emrin tim (p.sh.,faturën e prindërve apo të qiradhënësit)?

Ju mund të kryeni pagesat me anë të këtyre shërbimeve nëse keni bërë një marrëveshje me bankën me të cilën operoni. Mjafton që në momentin e kryerjes së pagesës të plotësoni në mënyrë të saktë informacionet që do t’ju kërkohen (shifra e konsumatorit ose numri i referencës që është e shënuar në fund të faturës).

Si të bëj një sugjerim, një lavdatë apo ankesë në shërbimet e ofruara nga stafi i KESCO?

Për të bërë një sugjerim, lavdatë apo ankesë për shërbimet e ofruara, ju mund ta shkarkoni formularin përkatës, ta plotësoni atë dhe ta vendosni në kutitë e sugjerimeve nëpër të gjitha distriktet/nëndistriktet e KESCO-s.

A ndalet provizon gjatë pagesave online të faturave të energjisë elektrike?

Kompania KESCO nuk ndal provizion gjatë pagesave online të faturave të energjisë elektrike. Në rast të ndalesave, ju lutem të kontaktoni bankën tuaj.

Jam rast social dhe nuk mund të paguaj faturën. Si duhet të veproj?

Të gjithë konsumatorët të cilët pranojnë shërbime nga KESCO janë të obliguar të përmbushin obligimet e tyre ndaj kompanisë. Sidoqoftë, në raste të caktuara, kategoritë sikurse rastet sociale, janë të rregulluara me legjislacion nga institucionet vendore.

Për këtë qëllim, KESCO bashkëvepron ngushtë me Ministrinë e Punëve dhe Mirëqenies Sociale për të implementuar subvencionet për kategoritë e rasteve sociale, sipas listave të përcaktuara nga ministria përkatëse.

Për çdo informatë lidhur me rastet sociale, konsumatorët duhet të drejtohen në Ministrinë e Punëve dhe Mirëqenies Sociale.

Cilat janë mënyrat e pagesës të faturës së energjisë elektrike?

KESCO sh.a.ofron disa mënyra të pagesës së faturave të energjisë elektrike  

  • Arkave të KESCO-s (shko tek harta).
  • Aplikacionit eKesco, ku pagesat mund të bëhen me të gjitha kartelat vendore dhe ndërkombëtare Visa dhe Master Card.
  • Në faqen pagesa direkte nëpërmjet ueb-faqes së KESCO-s.
  • Bankave komerciale.
  • Institucioneve financiare jo-bankare.
  • Përmes Postës së Kosovës.

Informata tjera lidhur me pagesat dhe kërkesat tjera, mund t’i gjeni edhe në rubrikën Shërbime onlineQendrën e Ndihmës së KESCO-s.

Si mund të kemi qasje në faturën e energjisë elektrike?

Fatura e energjisë elektrike dorëzohet çdo muaj fizikisht në adresën që është e specifikuar në kontratën për furnizim me energji elektrike.

Sipas Nenit 28 të Rregullave për Kushte të Përgjithshme të furnizimit me energji elektrike, pika 4 thekson: ‘’Faturat duhet të dërgohen në adresën e konsumatorit që është specifikuar në kontratën për furnizim.

Nëse nuk është specifikuar adresa ose është specifikuar në mënyrë të pasaktë, ose jo të plotë apo nëse konsumatori nuk gjendet më në adresën e specifikuar, furnizuesi do ta bëjë dërgesën në vendndodhjen fizike ku ka ndodhur shfrytëzimi i energjisë’’.

Mundësi tjetër për të pranuar faturën e energjisë elektrike është edhe përmes aplikacionit eKesco, kërkesës zyrtare përmes e-mailit info@kesco-energy.com ose platformave tjera online që janë në shërbim të konsumatorëve.

Si mund të njoftohem paraprakisht mbi ndërprerjet e planifikuara të energjisë elektrike?

Për të pranuar informatat mbi ndërprerjet e planifikuara të energjisë elektrike, ju mund të regjistroheni në aplikacionin “eKesco”.

Aplikacioni eKesco rregullon dukshëm qasjen në informata publike, duke marrë njoftime në kohë reale mbi punimet në rrjet,në secilin qytet, lokalitet e lagje.

 

Kur është energjia elektrike më e lirë dhe kur më e shtrenjtë?

Tarifat me pakicë të energjisë elektrike janë të rregulluara dhe të aprovuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Struktura ekzistuese tarifore ditore përbëhet nga tarifa e lartë (TL) dhe tarifa e ulët (TU).

Koha e shfrytëzimit të tarifës së lartë prej 1 tetorit deri më 31 mars është nga ora 07:00 deri në ora 22:00, ndërsa prej 1 prillit deri më 30 shtator është nga ora 08:00 deri në 23:00.

 

Pse nuk më funksionon ta kryejë pagesën e energjisë elektrike përmes eKesco-s?

Nëse nuk mund ta kryeni shërbimin e pagesës së energjisë elektrike përmes eKesco-s pasi që keni provuar disa herë, ju lutem sigurohuni fillimisht që keni mjete të mjaftueshme në llogarinë tuaj bankare.

Ndonjëherë mund të ketë probleme teknike në komunikimin e bankës suaj. Po ashtu, ju lutem, sigurohuni të dilni edhe një herë nga aplikacioni dhe të hyni përsëri për të parë nëse shqetësimi juaj rreth eKesco-s do të rregullohet.

Nëse vazhdoni të keni ende probleme në realizimin e pagesës, na shkruani në e-mailin tonë zyrtar: info@kesco-energy.com, duke na dërguar dëshmi konkrete se si po ju shfaqet problemi.

Pse nuk më vjen mesazhi në numrin tim personal?

Së pari, ju lutem sigurohuni që e keni vendosur një numër telefoni nga operatorët kosovarë, si Ipko, vala ose të tjerë. Po ashtu, kini parasysh që mesazhi për ta rivendosur/ndërruar fjalëkalimin mund të vonojë 2-5 minuta.

Në rast të mos pranimit të mesazhit edhe pas kontrollimit të arsyeve të lartshënuara, ju lutem na shënoni në emailin zyrtar: info@kesco-energy.com, duke na dërguar njërën nga të dhënat bazike: emailin me të cilin jeni regjistruar në aplikacion, shifrën e konsumatorit tuaj ose numrin personal. Ne do ta verifikojmë dhe ju njoftojmë për fjalëkalimin tuaj.

 

Shkarko aplikacionin eKesco