
Kërkesa për rikyçje në KESCO
Qëllimi i KESCO-s është furnizimi i konsumatorëve me energji elektrike, si dhe gatishmëria për të plotësuar kërkesat e tyre.
Por, si çdo shërbim dhe produkt tjetër, edhe energjia elektrike duhet të paguhet dhe përkitazi rregullave në fuqi të aprovuara nga ZRRE - Zyra e Rregullatorit të Energjisë (Rregulla për shkyçjen dhe rikyçjen e konsumatorëve), furnizimi me energji elektrike mund t’ju ndërpritet konsumatorëve të cilët nuk i përmbahen afatit të pagesës.
Gjithsesi, KESCO aplikon të gjitha mundësitë në mënyrë që të shmangë shkyçjen e konsumatorëve nga rrjeti elektrik, duke i paralajmëruar konsumatorët për shkyçje, përmes faturave mujore që i pranoni nga KESCO, si dhe duke ju dërguar njoftime në aplikacionin eKesco.
Është e rëndësishme të theksohet se një konsumator mund të shkyçet edhe nëse ka paguar faturën e fundit, por ka borxh të akumuluar paraprak.
Nëse si konsumator ekzistues ju jeni shkyçur nga rrjeti elektrik për mos-pagesë, nga momenti kur keni kryer obligimet (borxhin) që keni ndaj KESCO-s, bazuar në rregullat në fuqi, objekti juaj do të rikyçet jo më vonë se 24 orë pasi të jenë plotësuar kushtet për rikyçje.
Si bëhet rikyçja e energjisë elektrike?
- Kushti i parë është të paguani borxhin që keni ndaj KESCO-s (Shih mënyrat e pagesës).
- Nëse për çfarëdo arsye objekti juaj nuk është rikyçur edhe pas 24 orëve, ju lutem na kontaktoni duke thirrur në Qendrën e Thirrjes në 0800 791 00, na dërgoni email në info@kesco-energy.com apo vizitoni sportelet tona në distriktin tuaj më të afërt.
- Po që se kërkesën për rikyçje e bëni në sportel, me vete ju duhet ta keni edhe dëshminë që keni paguar borxhin tuaj në Kesco.
- KESCO e adreson kërkesën tek ekipet teknike të KEDS si operator i shpërndarjes, i cili pastaj merret me shqyrtimin e saj.
Nëse konstatohet që objekti në fjalë i plotëson kushtet për t’u rikyçur, që nënkupton se borxhi i paraparë është paguar nga ana juaj, furnizimi me energji elektrike do të rikthehet sa më parë.
A marr njoftim paralajmërues për shkyçje?
Bazuar në rregulloren në fuqi mbi Shkyçjen dhe Rikyçjen e konsumatorëve në sektorin e energjisë, konkretisht mbi njoftimin paralajmërues për shkyçje thuhet:
“Përpara shkyçjes konsumatorit do t’i dërgohet njoftimi paralajmërues në faturë lidhur me borxhin e papaguar. Periudha kohore e njoftimit paralajmërues nuk mund të jetë më pak se pesëmbëdhjetë ditë (15) ditë kalendarike nga data e fundit e afatit të pagesës.”
Njoftimi paralajmërues për shkyçje, i cili do t’i dërgohet konsumatorit përmban masat që do të ndërmerren ndaj konsumatorit, perfshirë edhe shkyçjen në rast se ai nuk kryen veprimet e specifikuara në njoftimin paralajmërues brenda afatit të përcaktuar kohor.
Vini re se nëse jeni përdorues aktiv i aplikacionit eKesco, ju mund t’i merrni njoftimet paralajmëruese për shkyçje edhe nëpërmjet këtij aplikacioni.
Unë kam paguar faturën e fundit, pse jam shkyçur?
Sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi çdo konsumator mund të shkyçet nëse ka fatura të papaguara të mëparshme (borxh paraprak), edhe në qoftë se ju keni paguar faturën e fundit.
Ku mund ta bëj pagesën e energjisë elektrike?
Konsumatorët kanë në dispozicion shumë kanale për të kryer pagesat e energjisë elektrike. Pagesat e energjisë elektrike mund të bëhen në arka të KESCO-s, në aplikacionin mobil eKesco, te faqja Pagesa direkte në ueb-faqen e KESCO-s, bankave komerciale (sporteleve dhe e-banking), institucioneve finaciare jo-bankare dhe përmes Postës së Kosovës.
Gjatë bërjes së pagesës është e rëndësishme që konsumatori të ketë kujdes dhe ta shkruaj saktë shifrën e tij/saj të konsumatorit, në mënyrë që mos të ndodhë ndonjë ngatërresë në pagesë.