Kërkesa për ndërrimin e emrit në faturën/llogarinë e konsumatorit
Nëse dëshironi ta ndryshoni emrin në llogarinë tuaj në KESCO, ju duhet ta adresoni kërkesën tuaj në sportelet e KESCO-s në distriktin tuaj përkatës. Kërkesa për ndërrimin e emrit mund të bëhet për arsye të ndryshme si: Ndërrimi i vendbanimit, ndërrim i emrit ndërmjet anëtarëve të familjes, shitja e shtëpisë, etj.
Ka lloje të ndryshme të kërkesave për ndërrim të emrit dhe për të gjitha këto kërkesa ekzistojnë karakteristika të përbashkëta që duhet t’i kemi parasysh:
- Për ta ndërruar emrin në llogarinë tuaj, ju duhet të parashtroni kërkesë në Zyrat e Përkujdesit për Konsumatorë në vendbanimin tuaj.
- Formularin e parashtrimit të kërkesës ju mund ta shkarkoni nga ueb-faqja e KESCO-s, si dhe të njëjtin mund ta merrni në sportelet e KESCO-s.
- Së bashku me formularin e plotësuar të kërkesës duhet dorëzuar edhe dokumentet relevante, varësisht nga arsyeja e bërjes së kërkesës.
- Për të ndryshuar emrin e llogarisë, fillimisht borxhi në atë llogari duhet të jetë zero.
- Në të gjitha rastet e ndërrimit të emrit, pronarët e rinj janë të obliguar të nënshkruajnë Kontratë për Furnizim me Energji Elektrike. Linkun e Kontratës për Furnizim me Energji Elektrike të aprovuar nga ZRRE mund ta gjeni edhe online. Linku për konsumatorët shtëpiak (Kontratë për amvisëri) dhe komercial (Kontratë për konsumatorët komercial).
Më poshtë kemi listuar llojet më të shpeshta të kërkesave për të ndërruar emrin e llogarisë, si dhe dokumentacionin e kërkuar në këto raste specifike:
Kërkesë për ndërrimin e emrit në rast të shitblerjes apo qiramarrjes së objektit
1. Forma e plotësuar e kërkesës.
2. Kontrata e noterizuar e shitblerjes apo qiramarrjes.
3. Nëse aplikimi bëhet nga personi i autorizuar, kërkohet të prezantohet autorizimi i noterizuar.
4. Informata mbi biznesin (jo më e vjetër se 6 muaj) në raste të kompanive.
5. Pas verifikimit dhe kompletimit të dokumentacionit, për të proceduar me ndërrimin e emrit kërkohet të plotësohet deklarata e pranimit të përgjegjësive për pikën matëse dhe kontrata e furnizimit.
Kërkesë për ndërrim të emrit ndërmjet anëtarëve të familjes
1. Forma e plotësuar e kërkesës.
2. Certifikata familjare.
3. Deklaratë ndërmjet dy anëtarëve të familjes (pronarit aktual dhe pronarit të ri potencial), të cilët duhet të jenë fizikisht prezentë apo të sillen deklaratat e noterizuara të tyre.
4. Pas verifikimit dhe kompletimit të dokumentacionit, për të proceduar me ndërrimin e emrit kërkohet të plotësohet deklarata e pranimit të përgjegjësive për pikën matëse dhe kontrata e furnizimit.
Kërkesë për ndërrimin e emrit në rastin kur vdes personi, i cili është kontraktues me KESCO
1. Forma e plotësuar e kërkesës.
2. Certifikata e vdekjes e personit, emri i të cilit është në kontratë me KESCO.
3. Certifikata familjare.
4. Në rastet e ndërrimit të emrit nga një person i vjetër te një person tjetër, jashtë marrëdhënieve familjare, kërkohen dëshmitë relevante mbi pronësinë ku gjendet pika matëse në fjalë.
5. Pas verifikimit dhe kompletimit të dokumentacionit, për të proceduar me ndërrimin e emrit kërkohet të plotësohet deklarata e pranimit të përgjegjësive për pikën matëse dhe kontrata e furnizimit.
Kërkesë për ndërrimin e emrit nga një subjekt qeveritar/komunal
1. Kërkesa zyrtare nga subjekti qeveritar/komunal.
2. Autorizimi i noterizuar për përfaqësuesin e organit përkatës.
3. Pas verifikimit dhe kompletimit të dokumentacionit, për të proceduar me ndërrimin e emrit kërkohet të plotësohet deklarata e pranimit të përgjegjësive për pikën matëse dhe kontrata e furnizimit.