
KESCO këshillon konsumatorët si të qëndrojnë nën 800kWh!
KESCO për çdo vit realizon kampanja informuese e vetdijësuese për konsumatorët, mbi mënyrën si të kursehet energjia elektrike, dhe si t’i ulin shpenzimet e tyre. Marrë parasysh që me tejkalimin e bllok tarifës, të vendosur nga Zyra e Rregullatorit për Energji, konsumatorët do të paguajnë tarifa më të larta, KESCO ka vendosur që t’u ndihmojë konsumatorëve me informata dhe këshilla praktike se si të rrijnë nën 800kWh!
Në vazhdën e shumë rekomandimeve që KESCO jep për kursimin e energjisë elektrike në të gjitha format, edhe instalimi i pajisjeve të mençura (smart) si termostatet inteligjente, ndërprerësit, prizat dhe sensorët e ndriçimit në banesat/shtëpitë tuaja është një hap i rëndësishëm për kursimin e energjisë elektrike.
Instalimi i pajisjeve smart
Ato ju mundësojnë të monitoroni konsumin e energjisë në kohë reale. Kjo ju ndihmon të kuptoni se cilat pajisje përdorin më shumë energji dhe si mund të optimizoni përdorimin e tyre.
Teknologjia e mençur ju lejon të automatizoni funksionet e shtëpisë, si p.sh. fikjen e dritave kur nuk është askush në dhomë ose rregullimin automatik të temperaturës në bazë të orarit tuaj të përditshëm. Kjo shmang përdorimin e panevojshëm të energjisë. Kur harxhoni më pak, edhe do të paguani më pak energji elektrike.
Edhe pajisjet që nuk janë të mençura mund të shndërrohen në të tilla përmes instalimit të ndërprerësve të mençur, të cilët mund të komandohen edhe nga distanca përmes aplikacioneve të ndryshme në telefona mobilë. Automatizimi i tillë i shtëpisë nuk ka kosto të lartë, pasi që këto pajisje sot janë mjaft të lira dhe instalimi i tyre është i thjeshtë dhe i shpejtë.
Pajisjet efiçiente
Për të kursyer energjinë elektrike në shtëpi, investimi në pajisje me efiçiencë të energjisë është një hap i shkëlqyer. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur vendosni të ndërroni pajisjet e vjetra ose kur bëni ndryshime në shtëpi. Edhe pse këto pajisje mund të kenë një çmim më të lartë, kursimet në faturat e energjisë do t'ju shpërblejnë çdo muaj. Disa studime tregojnë se duke zëvendësuar pajisjet e vjetra, mund të kurseni nga 30% deri në 80% të energjisë. Pajisjet moderne përdorin teknologji të avancuar për të kryer të njëjtën punë, por me më pak energji, duke kontribuar në një ambient më të pastër dhe kursime afatgjata.
Sigurohuni që pajisjet e blera të jenë idealja me A+++, por edhe A++ është në rregull.
Nëse jeni të interesuar të mësoni edhe më shumë rreth kursimit të energjisë, detajet për secilën pajisje elektroshtëpiake, si dhe shumë detje tjera, ju ftojmë të lexoni me vëmendje të gjitha rekomandimet nga ekspertët tanë në këtë link: https://www.kesco-energy.com/shq/qendra-e-ndihmes/sugjerime/kursimi-i-energjise-elektrike/