
Disa mënyra për të ulur faturën e energjisë elektrike
Sipas statistikave, pjesa më e madhe e konsumit të energjisë elektrike në Kosovë gjatë periudhës janar-korrik 2022, është shpenzuar nga konsumatorët shtëpiak që janë rreth 57 përqind. Për nevoja komerciale është shpenzuar 33 përqind, ndërsa për sektorin industrial 10 përqind.
Siç e dimë, konsumi i energjisë elektrike gjatë dimrit është i lartë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, si rrjedhojë e ngrohjes me energji elektrike. Kjo rezulton edhe me fatura më të larta të energjisë elektrike.
Në këtë kohë krize energjetike konsumatorët duhet të kërkojnë metoda praktike për të reduktuar konsumin dhe për të ulur faturën e tyre të energjisë elektrike, e në këtë mënyrë të ndihmojnë edhe sitemin që të përballojë më lehtë kërkesën gjithnjë në rritje për energji.
Për fat të mirë, janë disa metoda që mund na ndihmojnë për të reduktuar dukshëm faturën e energjisë elektrike.
Ngrohja e ambientit
Për të gjithë ata që përdorin termoakumulesit, preferohet që t’i lëshojnë gjatë natës për të akumuluar nxehtësi kur rryma është me tarifë të ulët. Duhet të dimë se përdorimi i termos akumuluese dhe radiatorëve gjatë dimrit shpenzojnë rreth 70 për qind të energjisë së përgjithshme elektrike për një amvisëri. Përndryshe, është e këshillueshme që të mos përdorni energjinë elektrike për ngrohje gjatë dimrit, por të kërkoni alternativë tjetër.
Ngrohësi i ujit/bojleri
Për të kursyer energjinë që përdoret për të ngrohur ujin, sugjerohet përdorimi i baterisë automatike për rregullim (balancim) të ujit të ftohtë dhe të nxehtë. Gjithashtu, preferohet ta shkycni bojlerin gjatë ditës, apo ta ndizni vetëm sipas nevojës. Statistikat tregojnë se afërsisht 40 përqind e shpenzimit të përgjithshëm të energjisë elektrike në amvisëri shpenzohet për të mbajtur ujin të ngrohtë në bojler. Për ta përdorë në mënyrë racionale bojlerin, rregullojeni termostatin në temperaturë mes 50°C dhe 55°C.
Shporeti elektrik
Gjatë zierjes duhet përshtatur temperatura adekuate dhe të vendoset kapaku i tenxheres për ta ruajtur nxehtësinë dhe shkurtuar kohën e zierjes. Kur të arrihet temperatura 100°, pra, pasi të marrë valë, uleni temperaturën. Përdorimi i enëve ekspres për zierje me avull shpejton zierjen dhe është më ekonomik. Një praktikë tjetër e mençur është të ndalet pllaka apo furra disa minuta më herët, sepse nxehtësia e akumuluar mjafton për të zier/pjekur ushqimin.
Makina e larjes së rrobave dhe enëve
Ulja e kostos që vjen nga makina e larjes së rrobave dhe enëve kërkon fare pak mund. Preferohet përdorimin i ujit të vakët kur ka mundësi. Detergjentët në ditët e sotme janë të formuluar që të pastrojnë edhe me ujë të vakët/ftohtë. Po ashtu të mos lëshohen këto makina gjysmë të mbushura dhe të lëshohen gjatë natës atëherë kur tarifat janë më të ulëta.
Metoda afatgjatë: Izolimi i shtëpisë
Bëni termoizolimin e objekteve të banimit , të bizneseve, të zyrave, që do t’ju mundësojë të kurseni afërsisht deri në 50 për qind të asaj që shpenzoni për ngrohje gjatë dimrit apo freskim të ambientit gjatë verës. Sipas studimeve, thuhet se 24 për qind e energjisë humbet nga muret e pa-izoluara, ndërsa edhe më shumë nxehtësi apo energji humbet nga tavani i pa izoluar i shtëpisë që është rreth 42 për qind. Mos-izolimi i dyerve dhe i dritareve humbet 18 për qind të energjisë. Gjithashtu, gjatë mbrëmjes me mbylljen e roletave, mund të pengojmë kontaktin e drejtpërdrejtë të dritareve me të ftohtit dhe në këtë mënyrë të ruajmë nxehtësinë. Izolimi i dyshemesë dhe oxhakut gjithashtu luan rol të rëndësishëm në ruajtjen e energjisë. Izolimi i oxhakut mund të ruajë 6 për qind, ndërsa i dyshemesë 10 për qind të energjisë.
Metoda afatgjatë: Sistemet diellore për ngrohjen e ujit
Një alternative mjaft e rekomandueshme për kursim të madh të energjisë elektrike është instalimi i sistemeve diellore për ngrohjen e ujit. Ngrohësit diellor të ujit montohen në çatinë e një ndërtese dhe shfrytëzojnë energjinë diellore për ngrohjen e ujit. Këto sisteme diellore të ngrohjes së ujit mund të prodhojnë mjaftueshëm ujë të nxehtë për të përmbushur shumicën e nevojave tuaja ditore për ujë të ngrohtë.Kostoja mesatare e instalimit te një sistemi diellor për ngrohjen e ujit me kapacitet 150l për një familje 4-6 anëtarësh është 600 – 800€. Kthimi i investimeve është 3-4 vite.